Secondary Adv

Rritet kërkesa për kolateral, por kreditë e banesave arritën 590 mln euro në janar-nëntor 2025

Raporti i Bankës së Shqipërisë tregon kushte më të vështira për kreditë e banesave edhe në 2026.

Blerja e shtëpisë përmes kredisë bankare pritet të mbetet e vështirë edhe gjatë vitit 2026, teksa bankat po kërkojnë më shumë kolateral nga qytetarët. Një raport i Bankës së Shqipërisë evidenton se gjatë vitit 2025 kushtet për kreditë e banesave janë shtrënguar, ndikim që lidhet drejtpërdrejt me kufizimet e vendosura nga banka qendrore që prej 1 korrikut 2025.

 

Në raport thuhet se bankat kanë raportuar shtrëngim të standardeve të kreditimit për blerje banese, duke reflektuar kufizimet uniforme të vendosura mbi raportin e kredisë ndaj vlerës së pronës dhe mbi raportin e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave.

 

“Kufizimet uniforme të vendosura në korrik të vitit 2025 nga Banka e Shqipërisë mbi raportin e kredisë ndaj vlerës së disbursuar dhe mbi raportin e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave në kreditë e reja për pasuritë e paluajtshme, u raportuan po ashtu nga bankat si faktorë që vepruan në kahun shtrëngues të standardeve të kreditimit”, thuhet në raport.

 

Më shumë kolateral për kreditë e banesave

Sipas Bankës së Shqipërisë, shtrëngimi i kushteve është realizuar kryesisht përmes rritjes së kërkesave për kolateral. “Shtrëngimi i kushteve e termave të kreditimit u krye nëpërmjet kërkesave më të larta për kolateral në raport me kredinë e marrë me qëllim financimin e blerjes së banesave”, nënvizon raporti.

 

Kufizimet e reja të vendosura nga banka qendrore

Prej 1 korrikut 2025, për kreditë në lekë për blerjen e banesës së parë, bankat mund të financojnë deri në 85% të vlerës së pronës, ndërsa për banesën e dytë dhe në vijim kufiri zbret në 80%. Njëkohësisht, kësti mujor i kredisë nuk duhet të tejkalojë 40% të të ardhurave për banesën e parë dhe 35% për kreditë pasuese.

 

Për kreditë në valutë, kufijtë janë edhe më të ulët, duke arritur në 75% të vlerës së pronës për banesën e parë dhe 70% për banesën e dytë apo të tjera. Ndërkohë, kësti mujor lejohet deri në 35% të të ardhurave për kredinë e banesës së parë dhe 30% për kreditë për prona të dyta apo të shumta.

 

Tregu i kredive për banesa në shifra

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, stoku i kredive për blerje banese ka arritur në rreth 2 miliardë euro. Vetëm gjatë periudhës janar–nëntor 2025 janë dhënë 590 milionë euro kredi të reja për këtë qëllim, duke reflektuar ende një kërkesë të lartë, pavarësisht shtrëngimit të kushteve.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat